Për të shkruar një ese ...



                           Unë nuk bëj asgjë pa gëzim.
                                                                                  Montaigne

Një shkrim, sado i vogël, qoftë dhe i formatit së skicës  në shkolla, pikësëpari duhet parapëlqyer, që do të thotë se duhet shkruar me një ndjenjë gëzimi. Montaigne shënon se koncepti i letërsisë detyruese është i gabuar. Këtë gjë më së shumti duhet ta kenë parasysh mësuesit e letërsisë kur japin temat e eseve, si për të ndikuar psikologjikisht mbi nxënësit, ashtu dhe për të krijuar atë mjedis  entuziast, i domosdoshëm për krijimtarinë letrare.
Montaigne thotë: "Nëse në një libër gjen një fragment të vështirë, kaloje". Ai sheh në letërsi njëlloj lumturie. I këtij mendimi është edhe poeti argjentinas Borges: "Një libër nuk duhet të kërkojë mundim, lumturia nuk duhet të kërkojë mundim. "(Pavdekësia... f.16)
Hartimi i një skice- ose i një poezie është sprova e parë e çdo të riu për të matur aftësitë e veta shprehëse. Shumë të rinj, të ndodhur në bankat e shkollës se mesme gjatë orës së “skicës letrare”, ndiejnë vështirësi në formulimin e saj, por kjo nuk duhet të na shqetësojë. Gjatë përvojës sime si mësues letërsie gjithmonë e kam ndier këtë vështirësi të tyre, por nuk kam dashur kurrë t'u imponoj nxënësve mendimet e mia. Shpesh nxënësve u jepet një temë e tillë, si  : "Përshkruani figurën e nënës". Përshkrimi i figurës së nënës jep mundësi dhe hapësirë shprehjeje, pasi, cilitdo i jepet rasti të përshkruajë me dashuri figurën e një gruaje, qoftë dhe   të nënës së vet.
Kjo nuk kërkon as talent  as trillim, por, vështirësia qëndron tek përshkrimi i figurës së nënës në përgjithësi. Përshkrimi i figurës duhet të jepet përmes disa detajeve të veçanta, përmes ca imtësive të cilat kanë të bëjnë me vëzhgimin e imët dhe shprehjen e tyre letrare. Ja, këto të ashtuquajtura imtësi e karakterizojnë njeriun." Do të thoshte Dostojevski te "Të fyer dhe të poshtëruar".( f. 225)
Veç kësaj , skica letrare kërkon edhe një farë kompozimi, kërkon një fillim dhe një fund.  Ndodh që një nxënës, gjatë gjithë orës së parë, të mendohet për mënyrën sesi ta fillojë....Është pikërisht ajo fjalia e parë që i mundon të gjithë... Jo vetëm fillestarët, por edhe shkrimtarët me përvojë. Ky çast i fillimit nuk duhet të shqetësojë askënd. Kjo ndodh pasi fjalia e pare  hidhet në letër kur e kemi të  qartë, gjer në imtësi, ato çfarë do të tregojmë. Mungesa e kësaj qartësie na bën të qëndrojmë gjatë mbi letrën e bardhë. Dhe, nëse do të përshkruajmë figurën e nënës, të cilën e kemi para syve të gjallë, nëse nuk do t’i kemi të qarta ato "imtësirat" që thotë Dostojevski ,nuk do të mund të shkruajmë dot asnjë rresht.
Ka ndodhur që nxënësit të më kërkojnë ndihmë... pikërisht për fjalinë e parë:- " Si ta filloj? “Presor...Më ttregoni vetëm  fjalinë e parë..."-" Nis me fjalinë e dytë...." ,-i jam përgjigjur unë me shaka, duke e njohur këtë ngërç  të  çastit. Pra, duhet një fjali e parë, qoftë edhe sikur atë ta quanim fjalia e dytë ose e tretë. Në këto raste, letrari i ngjan shoferit i cili ka hipur në makinë, por ende nuk i ka dhënë gaz makinës. Ja si e përshkruan  shkrimtari  kretas, Kazanzaqis, këtë çast:
“Krijimi është një gjë magjepsëse, plot pasiguri dhe emocion, si dashuria…Në çastin kur nisesha të shkruaja romanin “Zorba” (më dukej sikur) kërkoja zogun e pakapshëm që here pas here përplaste krahët thellë zemrës sime.”
Shkrimtari grek Vasilis Vasilikos, në kujtimet e veta, vë në dukje pikërisht këtë vështirësi në gjetjen e fjalisë së parë :
"Unë ngrihem qysh herët dhe përgatit tavolinën e shkrimit. Ndodh që e ndiej veten të papërgatitur për të nisur punën. Atëherë vërtitem nëpër dhomë i shqetësuar, përgatis mëngjesin, merrem me pastrimin e tavolinës apo me ndonjë punë tjetër të parëndësishme. Kjo kohë mund të jetë e shkurtër, por mund të zgjatë një orë edhe më shumë. Dhe, ja, vjen një çast kur unë e ndiej veten të gatshëm të ulem dhe të shkruaj. Është vetëm një çast.. Pasi ke sqaruar gjithçka, pasi ke gjetur edhe fjalinë e parë me të cilën do të nisësh udhëtimin..” .Fjalia e parë nuk është lehtë të gjendet, pasi ajo  ka lidhje më fjalinë mbyllëse.
Natyrisht, kjo fitohet me përvojë. Shpesh ndodh që individë të talentuar të mos i hyjnë rrugës se vështirë të letërsisë , vetëm e vetëm ngaqë kanë ndier vështirësi në shkrimin e hartimeve, qysh në shkollën e mesme.
Kam njohur letrarë të talentuar të cilët, pikërisht për këto arsye, janë thyer, janë ftohur dhe më pas janë larguar nga rruga e krijimtarisë, dhe të tjerë, më pak të talentuar, por më shumë këmbëngulës,të cilët i janë përkushtuar letërsisë qysh nga rinia gjer në pleqërinë  e tyre.
Letrari nuk duhet të dekurajohet nga vështirësitë që has në krijimtari, as nga qortimi që mund t'i bëhet veprës së tij. Ai duhet të jetë i armatosur me një bindje të fortë, e cila e bën atë të ecë përpara dhe të ketë një vetëdije të pacenueshme.
"Shkopi që mund të marrësh kohë pas kohe për të forcuar ecjen tënde është të mësosh edhe nga veprat e mjeshtërve të tjerë më të mirë."
Unë nuk besoj shumë në shprehjen e Lunaçarskit, i cili thoshte: "Artistit i duhet një herë talent dhe nëntë herë punë". Në të vërtetë ai e hiperbolizonte rolin e vullnetit në art, pasi talenti është diçka e lindur bashkë më njeriun, talenti është i lidhur me personalitetin e artistit dhe me përgjegjësinë historike të tij, pa zvogëluar rolin e punës, kulturës, përkushtimit, shëndetit, rrethanave shoqërore, gjendjes ekonomike, etj.
Skica letrare është një ushtrim i domosdoshëm për mësimin e shprehjeve të ndjenjave dhe të mendimeve në mënyrë sa më të qartë. Skica zakonisht nuk shkon më shumë së dy-tri faqe, kështu, i riu, brenda pak faqeve duhet të përmbledhë qartë dhe bukur atë çka do të thotë. Nga kjo pikëpamje skica është disi e vështirë, pasi je i kushtëzuar të shkruash shkurt dhe qartë, pa rënë në përgjithësime.  Ainshtajni thoshte:”Një person e njeh mirë një argument kur arrin t’ia shpjejgojë gjyshes së vet.” I riu kur nis të shkruajë një ese duhet ta këtë të qartë temën  në të gjitha imtësitë. Si duhet ta nisë shkrimin dhe ku do ta përfundojë?   Do të flasë në vetë të parë apo  në vetën e  tretë...? Do të përdorë elementë nga jeta e tij apo do të trillojë ndonjë ndodhi, në përshtatje me ato çfarë ka dëgjuar?
Krijimi është një gjendje e veçantë ku, siç thotë I. Kadare, "truri i shkrimtarit pulson si në ethe", ndonëse në çdo çast ai gjendet në vetëkontroll. Poeti gjerman, Emil Verharen, e përcakton krijimin në këtë mënyrë: "Të shkruash do të thotë të ndiesh më mendje dhe të mendosh më zemër", që do të thotë ndjenja të ruajë masën e kontrolluar nga mendimi dhe mendimi të ruajë masën e vet, të kontrolluar nga ndjenja. Kjo është një maksimë shumë e saktë për të treguar harmoninë që duhet të ketë raporti ndjenjë- krijim, si dhe vetëkontrolli që duhet t'i bëhet krijimit nga të dyja këto qendra krijuese. Në çdo krijim, parësore duhet të jetë ndjenja. Edhe mendimi duhet të jetë parësor, por gjer në masën e duhur.
Mësuesi i letërsisë, në një farë mënyre, duhet të jetë vetë letrar ose  të njohë mirë metodën krijuese , në mënyrë që të bëjë edhe një punë të diferencuar me nxënësit. Ai nuk duhet t'u imponohet nxënësve me mendimet e veta, por t'u japë atyre parimet e përgjithshme të krijimit dhe disa sqarime të pjesshme rreth temës që do të trajtojnë. Detyra e tij është ta joshë nxënësin e me pas ta nxitë për të medituar rreth temës. Mësuesi duhet të jetë në rolin e mediumit për ta çuar nxënësin gjer në atë pikë ku "truri të pulsojë si në ethe", i gatshëm për të nisur skicën letrare. Gjithmonë me parimin që nxënësi është i lirë dhe ka hapësirë të plotë për të dhënë një krijim sa më real, sa më të besueshëm dhe sa më origjinal...
Ese-ja "kolektivçe" është një lloj gare midis nxënësve. Krijimi juaj, sa më origjinal, bëhet edhe më joshës, po të mendosh që eseja më e mirë do të lexohet në klasë, para të gjithëve, dhe do të vlerësohet me një notë, e cila ka rëndësinë e saj .
Në orën e esesë, nxënësi duhet ta ndiejë vetën jo si në klasë, por si në një qafë mali, ku zëmra nis të trokasë më ndryshe dhe truri, i cili gjendet si në ethe, nis të vegojë gjithçka që sheh më "syrin e zogut", syrin e imagjinatës..