Varg i rregullt apo i lirë?



                  Tentohet nga vargu i lirë, sepse është më i
                                thjeshtë se vargu i rregullt.
                                 E vërteta është që ky i fundit është më i vështirë.
                                                                                      Borges

Ka poetë që e nisin krijimtarinë fill e me vargje të lira. Në dukje  nuk ka asgjë të keqe, mirëpo, ashtu si fëmija kur mëson alfabetin dhe nis mësimin e gërmave nga abetarja, ashtu edhe letrari i ri i ka të nevojshme  fillimisht ushtrimet poetike me vargje të rregullta dhe të rimuara.Vargu i rregullt dhe rima disiplinon mendimin, të mëson melodikën dhe muzikalitetin e brendshëm, përdorimin e figurave, koncizitetin, ligjërimin emocional.Vargu i rimuar të mëson të mos biesh në grackën e ligjërimit prozaik.
Ligjërimi poetik ka një ndryshim të madh prej ligjërimit prozaik, jo vetëm pse është më emocional e më figurativ, por ka edhe një strukrurë të brendshme ,të cilën mund të mos ta përvetësosh mirë nëse nuk ke kaluar shkollën e rimës.
Përdorimi i vargut të rregullt duhet të jetë i detyrueshëm për çdo letrar në krijimet e tija të para.Vini re, shumica e poetëve të njohur shqiptarë, por edhe botërorë, kanë nisur të shkruajnë fillimisht me vargje  të rimuara, më vonë kanë kaluar në vargjet me asonanca dhe disonanca të brendshme.
Herë- herë poetët gjejnë një rrugë të mesme, shkruajnë më vargje të rregullta, të thyera. Në këto vjersha frymëzimi vërshon gjithmonë përmes kadeëncave ritmike dhe melodike të alternuara sipas mënyrës që i shkrep poetit.
Një shembull i tillë është poema "Re në pantallona" e Vladimir Majakovskit.Po të vini re, vargjet  e kësaj poeme të bukur janë të rregullta, por të thyera, ndaj tingëllojnë si vargje të lira:
Librat bëhen shpejt:
  Erdhi poeti,
                      buzet i hapi,
dhe që nga buzët fluturoi drejt
një varg,
                    gati.
Por qenka ndryshe.
                            Para së të nisë,
vërtitet gjersa kallo i dalin prej fërkimit,
në lymin e zëmrës zvarritet
                                peshku budalla i përfytyrimit.
Dhe pasi i qërojmë rimat,
                                            ndërsa ziejnë
një çorbë me bilbila dhe dashurira,
                                            rruga gjuhë-presë,
                                                      si memece përpëlitet
se s'ka me se të flasë, të ulërijë.
Poezia është një çast i veçantë. Plazmoje poezinë sipas gjendjes  emocionale. Ki parasysh se: “Me atë masë që do të të emocionojë ty krijimi yt, me atë masë do t'i emocionojë edhe të tjerët.”
Duke pasur prasysh këtë gjë, çdo poet duhet të bëhet i vetëdijshëm për vlerën e krijimit të tij. Mungesa e sensit të vlerave është dhe mungese talenti.
Gjatë takimeve që  bënim dikur me lexuesin , një praktikë e humbur, një herë e pyetën shkrimtarin Kolë Jakova: -A ka shkollë për t'u bërë shkrimtar?
-Po.Ka,- iu përgjigj Kola.-Por, që të dalësh shkrimtar, duhet të hysh shkrimtar.
Me këtë gjë ai donte të thoshtë se shkolla vetëm sa t'i shton dijet, por nuk mund të të bëjë kurrë shkrimtar. Shkrimtari lind si i tillë. Një plakë e zgjuar e fshatit tim, dikur mè pati këshilluar: "Shkolla është si furra.Vetëm  pjek. Brumi është i yti” Mikun tim Llazar Siliqi, një herë e pyetën se çfarë ndiente ai kur bënte një vjershë të mirë...Llazari iu përgjigj: "Kur shkruaj një vjershë të mirë...Më lind dëshira të bëj një vjershë tjetër, edhë më të mirë..."
Këtë gjë  besoj se e keni ndier edhe ju. Pas një suksesi, e vetmja gjë që na frymëzon është ëndrra për një sukses të ri, për vazhdimësinë e sukseseve. “Kur dragoi hipi në majë, - thotë një proverb kinez, - nisi të njihte mjerimin e zbritjes”Një tjetër proverb kinez thotë:"Nëse dyshon të bësh diçka, mos e bëj".
Poeti e ndien vlerën e krijimit të vet ende pa ia njohur konturët apo imazhin, ndien se është diçka që duhet thënë, që duhët shkruar, tani, patjetër, në mënyrë që mos i ik, të mos ftohet.Pasi ta nxjerrë në dritë krijimin e tij, ndihet si ajo reja e shkarkuar. Jeronim de Rada e nis krijimin e vet "Milosao" më këto vargje brilantë:
Lisa jeta kish ndërruar
Ujë të ri ndë det
Kaltëruar në ditë të re.
Po lumbardha e Anakreontit
Temp rronej, e moçme.
Nd' ujë një ditë vate te mali
E s’u pruar si e kish zakon...
Veç atë s'e thau bora,
s'e përgjaku ushtëza,
 Por fjuturoi dhe ra
tek e bardha shpia ime.
 Kur n'agim tok, dhe shpi,
u zbuluan bashkë me detin
si hareja që del prej sysh,
më zgjoi me farfurimë
 qelqeve të finestrës sime..
Kishtë kaluar shumë kohë...aq kohë sa jeta kishte ndërruar shumë lisa, aq kohë sa edhe uji i detit ishte tjetër ujë, ujë i ri..., Por pëllumbi i  Anakreontit  e zgjoi një mëngjez duke fërgëllitur krahët, qelqeve të dritares.Filozofi , magji, transparencë, pafundësi kohore, jetë, dritë, lumturi...Të gjitha këto në fare pak vargje. Poezia është arti që zbulon ndjesi të rralla, është arti që krijon një botë imagjinare, më të bukur se kjo e tokës ku jetojmë.
Librat e parë të letrarëve të rinj, ndonëse kanë pasur të meta sa i përket teknikës së vargut, kanë qenë  më të thjeshtë, më të natyrshëm dhe më të freskët se librat që kanë pasuar. Të qenit i  thjeshtë dhe i natyrshëm  është vlerë. Ka poetë, të cilët qysh me krijimet e para  e nisin me vargje hermetikë.Këtyre poetëve të rinj le të kujtojmë thënien e Faik Konicës: "O zot, në qoftë së nuk kam gjë për të thënë, më ndihmo të hesht." ,Një shprehje skandinave thotë. "Më kot të ngasim me të katra, në qoftë se jemi në rrugë të gabuar.".Çehovi thoshte: "Në art është e pamundur të mashtrosh."